Orët vendimtare

LIVE

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Hamza refuzon ofertën e Kurtit: UÇK-ja s’bëhet pjesë e pazareve politike

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, pas konferencës së kryeministrit Albin Kurti, i cili propozoi dy kandidatë të rinj për president, Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin, si dhe propozoi që fillimisht të miratohet në lexim të dytë ligji për Gjykatën Speciale, ka refuzuar edhe këtë ofertë.

Hamza, në një konferencë për media, ka thënë se UÇK-ja nuk mund të bëhet pjesë e pazareve politike.

“Këta janë emra që nuk kanë kaluar që sa kohë, për të cilët nuk ka pasur marrëveshje. Vendi ka shkuar në zgjedhje. T’ju them të drejtën, kemi shumë ushtarë të UÇK-së në grupin parlamentar të PDK-së dhe mu lutën me shumë dashamirësi: ‘Kryetar, të lutna, me mirësjellje, mos na e bëj UÇK-në pjesë të pazareve politike, mos e bëj’. Ligji duhet të kalojë, presidenti ka mund të zgjidhet, por jo president pa marrëveshje”.

Sipas tij, mes tij dhe Kurtit ka pasur takime të mjaftueshme, por, siç tha ai, nuk ka pasur seriozitet.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Kurti u kërkon gazetarëve të ndërmjetësojnë mes tij dhe Hamzës

Kryeministri, Albin Kurti, u ka kërkuar gazetarëve që të ndërmjetësojnë mes tij dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, pas propozimit të tij për kandidatët për president të vendit.

Kurti tha se gazetarët nuk kanë nevojë të kontaktojnë Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin, pasi për ta do të flasë vetë, ndërsa kërkoi që ata ta pyesin Hamzën se çfarë mendon për propozimin e tij dhe të subjektit fitues.

“Më lejoni të ju lus, pas kësaj konference mos i thërrisni Glaukun dhe Feriden, por ma pyesni kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, se çfarë mendon për propozimin e kryeministrit dhe të subjektit fitues”, tha Kurti.

Ai tha se me Konjufcën dhe Rushitin do të komunikojë vetë, ndërsa gazetarëve u kërkoi që të kontaktojnë Hamzën.

“Me Glaukun e Feriden flas unë, besoni, nuk keni nevojë që të flisni ju, unë flas me ta. Por ju flisni me Bedri Hamzën, sepse s’po mund ta takoj, neve po na duhet një ndërmjetësues tash”.

Kjo deklaratë e Kurtit vjen në kohën kur partitë politike po përballen me afatin e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Jehona Lushaku-Sadriu
Jehona Lushaku-SadriuKryetare e Grupit Parlamentar të LDK-së

Një natë e vështirë për shtetin e Kosovës!

Zot, bekoje Kosovën e të ardhmen e fëmijëve tanë!

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të mbajë konferencë për media sonte në orën 19:45, në objektin e qeverisë në Prishtinë.